Press

Andi Tepelena per ETV (Televizioni lokal i Elbasanit)

“Të rinjtë kanë një imagjinatë që duhet stimuluar në  çdo fushë të artit.
Stimulimi i imagjinatës vizuale është shumë i rëndësishëm për ta në mënyrë që të shprehin dëshirat, gëzimin, trishtimin, ankthet, të rebelohen kundrejt një fenomeni të padrejtë. Me anë të dy teknikave artistike, fotografisë dhe grafitit mural, ata pikasin ndjesitë, dëshirat apo talentin e tyre, duke shpalosur çka i bën përshtyje nga realiteti përditshëm, duke e shndërruar në një kërkim të së bukurës, dhe duke shprehur një vizion për botën ku jetojnë. Pikërisht ky projekt synon të nxisë kreativitetit tek të rinjtë e shkollës “Kristoforidhi” në Elbasan, për ti bërë pjesë të një  rrjeti sa artistik po aq social së bashku me shkollën Naim Frashëri në Durrës, Aleks Buda dhe  Ibrahim Rrugova në Tiranë.”

—————————————————————————————

“Hijena dhe Minj” ne Akademine e Arteve
(Botuar ne gazeten Shqip)

Tema e identitetit dhe debati i gjerë publik për regjistrimin e popullsisë i ka dhënë spunto një performance live në Akademinë e Arteve ne kuadrin e projektit “Shkolla Krijuese” . Gjimnazistët kanë bërë objekt të tyre ironizues figura si Anastas Janullatos, Vasil Bollano, Nicholas Gage apo Vangjel Dule ne performancen e ideuar nga artisti Robert Aliaj DRAGOT si vazhdim i projektit multimedial(work in progres) ” Hijena dhe Minj” i prezantuar ne etapa te ndryshme ne Bruksel, Bienalen e Venecias, Muzeun e artit bashkekohor ne Szcezcin, Poloni, Galeria Kombetare Tirane 2009 ne bahkepunim me 700 nxenes te shkolles Edith Durham Tirane. Kete rradhe rezultati i performances ishte nje portret hibrid, titulli “Pagezimi i Hibridit”

Një grup studentesh kanë marrë dje penelat të pikturojnë në Akademinë e Arteve. Tema e zgjedhur ka qenë aktuale, ajo e identitetit dhe regjistrimi i popullsisë, ndërsa subjektet e zgjedhura, provokative. “Art Kontakt” në prezantimin e projektit social-kulturor “Shkolla krijuese” kanë realizuar dje në Akademinë e Arteve edhe një performancë live që përfshiu gjimnazistë nga shkollat e Elbasanit, Krujës, Durrësit e Tiranës. Në vazhdim të projektit të iniciuar disa vite më parë nga Robert Aliaj “Hiena dhe minj” kundër dhunës, si modele të kësaj performance kanë qenë kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatosi, kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, publicisti Nicholas Gage dhe politikani Vangjel Dule. Koordinatori i projektit dhe drejtuesi i “Art Kontakt”, Andi Tepelena, shpjegon se kjo performancë tregon se arti nuk është i shkëputur nga konteksti shoqëror e historik ku jeton, pa i dhënë ngjyra politike çështjes. Të rinjtë nuk kanë ngurruar ta plotësojnë portretin me fantazinë e tyre, duke arritur në një personazh hibrid të këtij debati. Ndërkohë po dje janë prezantuar edhe fotografitë ku këta të rinj fokusonin problematikat e mprehta të qytetit të tyre përmes teknikës së ‘photo voice’, ku çdo foto shoqërohej nga një ese e shkurtër shpjeguese. “Me reagimet që nxënësit patën, u kuptua se të fotografuarit e një fenomeni të jep një tjetër këndvështrim mbi situatën, të bën të mendosh më thellë dhe t’ia artikulosh dikujt tjetër përmes mediumeve të shumta që sot ekzistojnë”, ka thënë antropologia Sofia Kalo, e cila ka qenë pranë gjimnazistëve në këtë projekt. Nga ana e tij, Andi Tepelena jep një panoramë më të gjerë të projektit.

Si ka lindur dhe çfarë nënkupton ky projekt i juaji?

Ky projekt ka nisur para disa vitesh nga Robert Aliaj dhe quhet “Hiena dhe minj”. E ka trajtuar në Bruksel, në Bienalen e Venecias dhe tashmë në Tiranë. Tema kryesore ka qenë dhuna. Projekti ka marrë shkas nga një video e shpërndarë në “Youtube”, ku policë të një komisariati në Greqi kishin detyruar dy emigrantë shqiptarë të rrihnin njëri-tjetrin. Videoja bëri xhiron e botës, u transmetua edhe në televizione, por e gjitha kjo ka pasojat e saj te fëmijët e vegjël, të cilët në mënyrë të pavetëdijshme e përthithin këtë mesazh. Kjo performancë është pjesë e një procesi të tillë, sepse këto personazhe që shfaqen nga një ekran në tjetrin, krijojnë turbullirë në publik. Ne kemi dashur ta trajtojmë këtë temë të aktualitetit shqiptar, për të dhënë idenë që arti nuk është i shkëputur nga konteksti shoqëror e historik ku jeton. Këta të rinj bëhen të vetëdijshëm për problematikën e regjistrimit të popullatës, temën etnike dhe atë fetare që po hasim çdo ditë. Kemi dashur të përfshijmë vetë studentët në këtë proces artistik, për t’i bërë ata aktivë e për të mos u lënë vetëm rolin e vizitorit. Synimi ynë është që nën trajtimin e profesionistëve, këta të rinj të nxiten dhe të jenë vetekzekutues të veprës së artit.

Keni zgjedhur si subjekte figura publike si Janullatosi, Bollano, Nicholas Gage apo Vangjel Dule. Është një performancë provokative?

Si rrjedhojë e diskutimit të madh publik, tema e identitetit po trajtohet shumë në art. Filmi i fundit i Edmond Budinës “Ballkan Bazar” na dha shkakun për ta sjellë këtë çështje në artet vizive. Nuk duam ta kalojmë në plan politik, por është një temë që prek aktualitetin shqiptar, që ka ngritur debate politike dhe ne ndërhyjmë këtu jo për t’i fryrë zjarrit, por për të reflektuar mbi të gjithë këtë situatë. Aty ku gjërat janë pak të fjetura, arti ndërhyn për të ngacmuar dhe evidentuar problematika të caktuara.

Këta të rinj nuk janë piktorë, por kanë qenë aktivë në këtë performancë. Kjo tregon që këta të rinj nuk janë indiferentë ndaj aktualitetit social?

Fakti që ata treguan interes ndaj kësaj teme, tregon se nuk janë indiferentë. Ne u kemi dhënë si modele referimi fotografinë e Janullatosit, e duke trajtuar në mënyrë ironike brenda tij edhe figura të tjera si Bollano, Nicholas Gage, Vangjel Dule. Nuk janë personazhe që ndahen nga njëri-tjetri. Njëri në politikë, tjetri në fe apo në publicistikë janë të lidhur në këtë debat dhe turbullirë të madhe që po shkaktohet këto kohë. Ne luajmë dhe zbavitemi me këto kontradiktat e realitetit shqiptar.

Ky projekt ka edhe pjesën e tij sociale…

Projekti është shumë social, sepse janë përfshirë shkolla të mesme të Elbasanit, Krujës dhe Durrësit. Këta të rinj janë të ndjeshëm për problematikat e komuniteteve ku jetojnë. Ata kanë evidentuar tema që i prekin direkt, siç është ajo e ndotjes dhe ndryshimeve ambientale në Elbasan, sfida e ruajtjes së trashëgimisë në Krujë, tema e integrimit në Durrës, ndërsa në Tiranë temën e kaosit urban. Ata vetë i kanë pasur të qarta konceptet realizuese të këtij projekti, që synon shtrirje edhe në qytete të tjera. Projekti i ardhshëm do të trajtojë posaçërisht temën e ndryshimeve klimatike, ku ne do të marrim shkas nga përmbytjet në Shkodër. Zgjodhëm t’i sillnim këta të rinj këtu, sepse Akademia e Arteve duket si një tabu për këta nxënës, të cilët nuk kanë alternativa kulturore në kohën e lirë.

————————————————————————————————-

“Muret e Shkollarëve” – Gazeta Shekulli, ELSA DEMO,  04/2011